Skip to content

Mirë se vini në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë

Fakulteti ynë është një institucion me traditë dhe Ju e ne kemi përse të krenohemi më këtë. Themelimi i tij daton më 1960. Duhet përmendur faktin se është njëri ndër fakultetet me të vjetra në Universitetin e Prishtinës respektivisht është themeluar shumë me herë se vet UP. Qysh atëherë kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë dhe bashkë me ta breza të tërë pedagogësh, shkencëtarësh, punonjësish dhe studentësh. Suksesi i FSHAB – së, si pasardhëse e ish Shkollës së Lartë Ekonomike – komerciale dhe ish Shkollës së Biznesit, u kushtohet pikërisht atyre. Prandaj, shumë studentë të rinj që e njohin këtë traditë dhe profesorët që punojnë me ta, ecin në gjurmët e tyre, duke u përpjekur vazhdimisht për të qenë kudo dhe në çdo kohë më të mirët.  Si çdo institucion tjetër arsimor, edhe fakulteti ynë, përpiqet që t’i i ofrojë studentëve shërbime me vlerë. Rritja e cilësisë së shërbimeve dhe përsosja e nivelit të mësimdhënies por dhe kërkimit shkencor, arrihen nëpërmjet punës interaktive të vazhdueshme me Ju studentët të nderuar. Në fakultet kemi stafin akademik të kualifikuar dhe me përvojë, që kanë merita për arritjet e shkëlqyera në fusha e jetës shoqërore – ekonomike. Në planin e kompletimit të stafit akademik vazhdimisht  pasurohemi me të rinj të cilët i japin frymëmarrje institucionit tonë. Por ky staf, në misionin e tij të rëndësishëm, ka pasur dhe ka gjithmonë në krah pedagogë të angazhuar dhe stafin administrativ e teknik – mbështetës, të cilët ia rrisin vlerën zbatimit të programeve akademike duke e plotësuar dhe krijuar një mjedis cilësor e modern në FSHAB. Megjithëkëtë, jemi të vetëdijshëm se një fakultet është vërtet bashkëkohor duhet mbështetet mbi një infrastrukturë bashkëkohore. Ne përpiqemi të zgjerojmë dhe aq sa mundemi t’i përmirësojmë e t’i modernizojmë mjediset, duke nisur që nga biblioteka, informatizimi, kabineti i gjuhëve të huaja, kabineti i informatikës, wireless – i, etj., me synimin e qartë që në një periudhë të mesme kohore të mbërrimë deri te ndërtimi i një kampusi universitar në qytetin tonë,  në lulen e Dukagjinit. Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë është vetëdijshëm, i përgatitur dhe i motivuar për t’u përballuar me tranzicionin e egër, transformimet e vështira dhe sfidat e ndryshme të shekullit të ri dhe atë në drejtim të integrimit dhe globalizimit të Arsimit të Lartë me qëllimin të vetëm dhe final integrimin në familjen e madhe evropiane të cilës ne i përkasim. Që fakulteti ynë të mbetet i mirë, atraktiv dhe cilësor ne do të vazhdojmë të punojmë fortë dhe njëkohësisht do e qojmë përpara traditën e ish kolegëve dhe të ish studentëve të cilët i kujtojmë dhe i falënderojmë për herë për punë, angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në këtë institucion. Me përulje, respekt dhe kujtim nuk do ta harrojmë kurrë gjakun bijve dhe bijave të këtij vendi që ne sot të jetojmë të dinjitetshëm dhe të lirë.

Suksese nga  stafi akademik dhe stafi i  administratës së  FSHAB – së Pejë