Skip to content

Dr.sc. Armand Krasniqi, prof.ass

Dekan i FSHAB të UP

Fjala e Dekanit

Të dashur studentë!

Karriera dhe suksesi juaj profesional fillon nga një zgjedhje e kujdesshme e studimeve universitare dhe nga përpjekjet maksimale në kërkim të një formimi sa më cilësor akademik. Ne jemi të bindur se FSHAB në Pejë ju jep mundësitë dhe ju krijon hapësirat e nevojshme në rrugën tuaj drejt së ardhmes. Në kuadër të arritjes së këtij qëllimi ju do të bashkëpunoni me një staf pedagogësh akademik të përzgjedhur, të përbërë nga ekspertë të shquar e kompetentë të cilët kanë kryer studime e kërkime në universitete prestigjioze vendore e perëndimore. Në fakultetin tonë do të gjeni programe mësimore të bazuara në eksperiencën më të mirë kosovare dhe ndërkombëtare. Do të gjeni bashkëpunim akademik dhe metoda mësimdhënie bashkëkohore të cilat ju zhvillojnë aftësitë analitike, mendimin kritik, krijimtarinë dhe inteligjencën. Do të keni mundësi të bëheni pjesë e shoqërive të informacionit dhe ekonomisë së dijes e të tregut. Nëse do të dëshironi, do të keni mundësi që të kombinoni në mënyrë cilësore njohuritë teorike dhe aftësitë praktike që të jeni sa më të përshtatur me tregun aktual të punës dhe me dinamikat e zhvillimit politik, ekonomik e social si në rajonin e Dukagjinit, Kosovë, Evropë dhe më gjerë. Do të gjeni një mjedis interesat, intelektual tërheqës e stimulues e mbi të gjitha një mjedis social shumë etnik dhe argëtues.

Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë në cilësi të njësisë akademike të Universitetit të Prishtinës është i akredituar sipas legjislacionit pozitiv në Republikën e Kosovës dhe i ndërtuar sipas kërkesave e kritereve të “Kartës së Bolonjës”. Është fakulteti më i vjetër në vend me traditë gjysmë shekullore. Ofron cikël të plotë të studimeve aplikative themelore me programe studimi e diploma në katër departament siç janë Administrimi i Bizensit (AB), Kontabilitetit dhe Financat (KF) Menaxhmenti në Turizëm dhe Hotelieri (MTH) dhe Administrimi i Biznesit në gjuhën boshnjake (ABB). FSHAB ka në filozofinë bazë të saj bashkëpunimin ndërkombëtar, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me universitete e institucione e vendit dhe të huaja si dhe aplikimin e programeve të veçanta të shkëmbimit akademik mes studentëve dhe stafeve akademike reciproke.

FSHAB si material bazë mësimor e pedagogjik përdorë librat dhe tekstet e autorëve më të shquar vendor, botërorë dhe të specialiteteve përkatëse gjë që garanton një qasje të gjerë e të lehtë të studentëve në burimet më cilësore të informacionit dhe të materialeve didaktike të domosdoshme për një formim profesional cilësor të kërkuar e të vlerësuar në tregun e punës. Si pjesë e veçantë e aktivitetit është prezencën e pedagogëve, lektorëve dhe ekspertëve të shquar ndërkombëtarë nga Bosnja e Hercegovina si dhe të figurave akademike të spikatura kosovare në funksion të zgjerimit të horizontit të studentëve për nxitjen e debatit, zgjerimin e problematikës dhe eksperiencave profesionale në kuadër të thellimit të komunikimit e të dialogut profesional e institucional.

Duke studiuar në fakultetin tonë ne do bashkëpunojmë për të ndërtuar së bashku të ardhmen tuaj. Ne punojmë me bindjen se suksesi profesional i studentëve tanë varet tërësisht nga cilësia e ofertës sonë akademike. Jemi të vetëdijshëm se substanca e shkollimit tuaj nuk duhet të ishte thjesht informacioni dhe njohuritë e gjera në degët ku ata studiojnë, por mbi të gjitha, zhvillimi i mendimit, i argumentimit dhe i analizës, se qenia dhe angazhimi tuaj si qytetarë të ndershëm e aktivë në zhvillimin e vendit varet nga edukimi etik dhe rritja e përgjegjshmërisë qytetare.

Vlerësojeni Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë të UP – së si një mjedis që do t'ju pajisë me dije e njohuri moderne, si qendër të përpunimit të ideve e të vizioneve për të ardhmen, si një mundësi për t’u formuar si një student/studente cilësor në një mjedis akademik e shkencor bashkëkohor, si një ekspert i përgatitur e kompetent në jetën profesionale, si një qytetar i kulturuar në një shoqëri të lirë dhe demokratike.

Suksese